Arkiv

Archive for the ‘Software’ Category

HP nuk do ta përdor Windows Phone 7 për telefonat e saj

26 Korrik, 2010 1 koment

HP mund të aspirojë të jetë “konsumatori më i madh i Microsoft-it,” thuhet sipas zëvendës presidentit të HP’së, Todd Bradley, por kompania ka distancuar veten zyrtarisht nga sistemi operativ për telefona mobil, të cilin Micosoft e ka emëruar Microsoft Windows Phone 7.

Ky veprim, nga publiku i gjerë mund të shihet  si i papritur, duke marrë parasysh se finalizimi i marrëveshjes për përvetësimin e kompanisë Palm, nga ana e HP, është bërë në fund të muajit të kaluar.

Mbi të gjitha, Palm është truri prapa sistemit operativ për telefona mobil, të cilin HP tani synon të përdorë si bazë për të gjithë telefonat e saj të zgjuar, në të ardhmen.

“Qëllimi ynë është që t’i përqendrojmë të gjitha burimet për ta bërë webOS sa më të mirë që ai mund të jetë,” tha Bradley në një intervistë me faqen  e njohur, Electronista. / Telegrafi

Android 2.2 risia e radhës nga Google

Kompania Google ka paraqitur edhe zyrtarisht versionin 2.2 të sistemit operativ për pajisje celulare Android 2.2, i cili do të duhej të jetë baza e pajisjeve Android deri në fund të këtij viti.

Pas lajmit të rëndësishëm për lansimin e shërbimit Google TV, për të cilën ju kemi raportuar gjatë ditës, Google në konferencën e saj Google I/O ka publikuar edhe zyrtarisht versionin e fundit të sistemit operativ Android, të emëruar Froyo. Ky sistem do t’i ofrohet komunitetit open-source si dhe prodhuesve gjatë javëve të ardhshme, e pritet që shumica e telefonave të mençur të cilët kanë këtë sistem të kalojnë në versionin në fjalë deri në fund të këtij viti.

Padyshim, risia më e madhe në këtë sistem është integrimi i mbështetjes për Flash 10.1. Sistemi operativ ka funksione të shumta shtesë, derisa shfletuesi i internetit tani përdorë makinën V8 Javascript, i njohur nga Chrome. Performansat e këtij versioni, sipas Google, janë dy deri në pesë herë më të mira krahasuar me versionin 2.1, e zhvilluesit e interesuar qysh tani mund të shkarkojnë Android 2.2 SDK.

Veç paraqitjes së sistemit të ri operativ, Google ka publikuar edhe disa të dhëna interesante për vet platformën. Çdo ditë me këtë platformë shiten mbi 100.000 pajisje me Android, e 180.000 zhvillues përgatisin programe për këtë platformë, gjersa në dyqanin online Android Market tani gjenden mbi 50.000 aplikacione të cilat nuk kanë të ndalur së shtuari. /Telegrafi/

Android më i mirë se iPhone

Sipas rezultateve të hulumtimit të tregjeve, në tremujorin e fundit celularët me Android në SHBA janë shitur më mirë sesa iPhone.

Nëse mund t’i besohet hulumtimit të kryer nga kompania për analiza NPD, në tremujorin e fundit telefonat e mençur me sistemin operativ Android janë shitur më mirë sesa iPhone. Hulumtimi është kryer online, gjersa ai ka përfshirë 150.000 blerës amerikanë.

Sipas rezultateve, Android gjatë tremujorit të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë për vete 28 për qind të tregut, derisa iPhone ka pasur 21 për qind.

Në vendin e parë edhe më tutje ka mbetur kompania Research in Motion (RIM) me 36 për qind, mirëpo pjesëmarrja e saj krahasuar me tremujorin paraprak ka rënë për gjashtë për qind. Në kompaninë NPD vlerësojnë se për suksesin e pajisjeve të veçanta meritorë janë operatorët mobil dhe aktivitetet e marketingut.

Çmimi mesatar i shitjes së celularëve të rëndomtë në tregun amerikan gjatë këtij tremujori ka qenë 88 dollarë, që është më i lartë sesa vitin e kaluar. Në ndërkohë, çmimi mesatar i telefonave të mençur ka qenë 151 dollarë që e bën atë më të ulët sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. /Telegrafi/

Windows Live për iPhone

Së shpejti në iPhone nëpërmes MSN-it do të mund të bisedonim duke shfrytëzuar aplikacionin origjinal të kompanisë Microsoft.

Qysh në muajin dhjetor të vitit të kaluar ishte paralajmëruar se Microsoft po planifikonte të përgatis aplikacionin Live Messenger për celularin e popullarizuar iPhone të Apple, e sot në portalin e njohur teknologjik Neowin janë publikuar edhe fotografitë e para të aplikacionit duke punuar.

Microsoftit klientin e iPhone për protokollin e popullarizuar të komunikimit të çastit do të mund ta provonim qysh në muajin qershor, si pjesë e paketës Windows Live Wave 4, derisa ‘nafakalitë’ e rrallë do ta kenë rastin që këtë ta bëjnë gjatë majit, brenda një numri të kufizuar të testuesve.

Windows Live Messenger për iPhone mundëson ndarjen e fotografive, komunikim çasti dhe kanale sociale për përdoruesit./Telegrafi/

Android do të mbështes teknologjinë Flash

Inxhinieri kryesor në projektin Android ka deklaruar se versioni i radhës i sistemit operativ të kompanisë Google do të mbështes teknologjinë e Flash Adobe Systems.

Andy Rubin është zëvendëskryetar i njësisë inxhinierike e cila zhvillon sistemin operativ Android. Në një intervistë për gazetën prestigjioze amerikane “New York Times” ai ka thënë se Android 2.2, me emër kodues Froyo, do të ketë mbështetje për teknologjinë Flash të kompanisë Adobe.

Kjo deklaratë e tij vjen vetëm disa ditë pasi që Apple në tërësi ka hequr dorë nga teknologjia Flash. Siç dihet, iPhone e iPad nuk mbështetin Flash-in, e sipas informatave të fundit nga Apple të cilat edhe ne ua kemi transmetuar ditë më parë, as që do ta mbështes ndonjëherë këtë teknologji.

Rubin konsideron se nuk duhet që dikush të këmbëngul kundër disa teknologjive në të cilat përdoruesit kënaqen dhe i shfrytëzojnë në masë të madhe. Aktualisht Flash përdoret në shumë faqe të internetit, për përpunim të lojërave, animacioneve, për përpunim online të fotografive si dhe për shumë funksione tjera. T’ua largosh përdoruesve tuaj këtë mundësi nuk është një veprim i mençur, ka vlerësuar Rubi.

Versioni i ri i Flash me shenjën dalluese 10.1 pritet të paraqitet në fund të muajit qershor të këtij viti. Supozohet se pikërisht ky version do t’ia hap dyert kësaj teknologjie për në telefonat e mençur. Sistemet operative mobile BlackBerry OS, Android, Symbian, WebOS e Windows Phone 7 do të duhej të mbështesnin versionin Flash 10.1. /Telegrafi/

Android në iPhone

Sistemi operativ i kompanisë Google Android funksionon suksesshëm në pajisjen e popullarizuar iPhone të gjeneratës së parë.

Siç thuhet në komentet e blogut të internetit ku edhe është publikuar lajmi, Android mund të ngarkojë pajisjen tuaj iPhone, por sipas videos së paraqitur, edhe mund të funksionojë me të vërtetë.

Ani pse shumë njerëz e duan celularin iPhone, ka shumë prej tyre që nuk e duan sistemin operativ të tij dhe kufizimet e panatyrshme të kompanisë në këtë telefon të mençur, prandaj ka qenë vetëm çështje kohë kur dikush do të tentoj të bëj diçka të këtillë.

Një bloger anonim ka publikuar videon e sistemit operativ Android, i cili “sillet” ngadalë por sigurt në telefonin iPhone të gjeneratës së parë. E si e do rendi, ai e ka ofruar menjëherë edhe adresën për shkarkim falas.

Ky sukses është rezultat i punës së më shumë autorëve të cilët shpresojnë se me pak më shumë punë do të arrijnë që të instalojnë Androidin edhe në iPhone 3G/3GS. /

Opera Mini në iPhone

Pronarët e iPhone gjatë ditës së sotme më në fund do të mund të instalojnë shfletuesin Opera në pajisjen e tyre të adhuruar. Pas pothuajse një muaj pritjeje është miratuar hyrja e Opera Mini në dyqanin online të aplikacioneve Apple App Store.

Opera e ka paraqitur shfletuesin Opera Mini në dyqanin App Store qysh më 23 mars, pas së cilës është pritur miratimi i paraqitjes së saj në App Store. Shumë media kishin supozuar se Apple nuk do të miratojë hyrjen e Opera Mini në App Store, mirëpo kjo megjithatë nuk ndodhi.

Sipas pohimeve nga Opera, versioni i shfletuesit të tyre mobil për shkak të kompresionit dhe teknologjive tjera që përdorë është gjashtë herë më i shpejtë sesa shfletuesi i rëndomtë në iPhone.

Gjatë ditës së djeshme, Opera ka raportuar se me shfletuesin e saj, në version klasik apo mobil, e përdorin mbi 100 milionë përdorues.