Android më i mirë se iPhone


Sipas rezultateve të hulumtimit të tregjeve, në tremujorin e fundit celularët me Android në SHBA janë shitur më mirë sesa iPhone.

Nëse mund t’i besohet hulumtimit të kryer nga kompania për analiza NPD, në tremujorin e fundit telefonat e mençur me sistemin operativ Android janë shitur më mirë sesa iPhone. Hulumtimi është kryer online, gjersa ai ka përfshirë 150.000 blerës amerikanë.

Sipas rezultateve, Android gjatë tremujorit të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë për vete 28 për qind të tregut, derisa iPhone ka pasur 21 për qind.

Në vendin e parë edhe më tutje ka mbetur kompania Research in Motion (RIM) me 36 për qind, mirëpo pjesëmarrja e saj krahasuar me tremujorin paraprak ka rënë për gjashtë për qind. Në kompaninë NPD vlerësojnë se për suksesin e pajisjeve të veçanta meritorë janë operatorët mobil dhe aktivitetet e marketingut.

Çmimi mesatar i shitjes së celularëve të rëndomtë në tregun amerikan gjatë këtij tremujori ka qenë 88 dollarë, që është më i lartë sesa vitin e kaluar. Në ndërkohë, çmimi mesatar i telefonave të mençur ka qenë 151 dollarë që e bën atë më të ulët sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. /Telegrafi/

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Lini një koment