Arkiv

Arkiv për Kategorinë ‘NOKIA’

Nokia lancon modelin E73

Kompania Nokia ka lansuar edhe një model të ri, nga linja e saj e telefonave të mençur, E-series, e cila është mjaft e dashur për shumë përdorues. Kjo seri është pak a shumë e ngjashme me telefonat e prodhuar nga Research In Motion, e cila prodhon BlackBerry’n.

Të gjithë ata që duan të posedojnë Nokia, ndërkohë që telefoni i tyre t’i ngjajë BlackBerryt, atëherë Nokia ka lansuar modelin e ri të telefonit të mençur, të cilin e ka emërtuar E73, ngjashëm sikur modelet paraprake.

Për më shumë, dizajni i Nokia E73 i ngjan BlackBerryt dhe është i bazuar në sistemin operativ Symbian dhe mund të blihet vetëm përmes rrjetit të dyqaneve T-Mobile. Çmimi i Nokia E73 ende nuk dihet, mirëpo ajo që dihet tashmë është data e lansimit të këtij telefoni, i cili do të dal në shitje prej 16 qershorit. /Telegrafi/

Nokia lancon edhe katër modele të telefonave të lirë.

7 Qershor, 2010 2 komente

Nokia Oyj të enjten zbuloi edhe katër modele të reja të telefonave të lirë. Me këtë fokus, kompania synon të mbrojë pjesën dominuese të tregut, e posaçërisht në tregjet e reja.

Nokia kontrollon më shumë se 50 për qind të tregut të shitjeve në Indi dhe Afrikë, si dhe ka një pozicion të fortë në tregjet e tjera në zhvillim. Nokia thotë se do ta vazhdojë luftën me rivalët si Apple dhe RIM (Research In Motion), ndërsa ofertat e pakta të kompanisë e kanë ndikuar në çmimet e aksioneve në bursa gjatë muajve të fundit.

Katër modelet e reja të thjeshta të telefonave mobil, duke përjashtuar operatorët e mundur, vijnë me çmime prej 30 deri në 45 euro.

Dy telefonat e ri, duke përfshirë këtu edhe modelin e lirë prej 30 €, do të mundësojnë edhe përdorimin e dy SIM kartelave të ndryshme – duke ndihmuar për ndarjen e një telefoni në mes të anëtarëve të familjes apo miqtë. /Telegrafi/

Nokia N8 në vjeshtë

Nokia ka vërtetuar daljen e celularit të saj N8 të bazuar në sistemin operativ Symbian për këtë vjeshtë. N8 është celular i cili mbështet multi-tasking të avancuar, multi-touch, qasje në dyqanin online të aplikacioneve Ovi dhe shumë mundësi tjera.

Tani është edhe zyrtare, Nokia në panairin teknologjik “Espoo” ka bërë publike datën e paraqitjes në treg dhe çmimin e celularit të ri të saj N8, i cili me vete sjell kamerë prej 12 megapikselash, Symbian^3, dalje HDMI, 16 gigabajt të memories interne, incizim të video materialeve me definicion të larë (HD), qasje në Ovi Store dhe shfrytëzim pa pagesë të mundësive tjera të shumta nga klasa më e lartë e celularëve.

Shitja fillon në vjeshtë dhe ky celular vjen me pesë ngjyra të ndryshme. Çmimi i tij për tregun evropian është 370 euro.

N8 – Model i ri nga Nokia 12 Mpx Camera

Në internet janë paraqitur informata të reja për telefonin e radhës të mençur të Nokias – modelin N8.

Kjo pajisje do të duhej të ishte telefoni i parë i Nokias i cili do të ketë kamerë digjitale me rezolucion prej 12 megapikselash dhe do të punoj në sistemin operativ Symbian^3.

Opsionet tjera të njohura, por askund të vërtetuara, përfshijnë ekranin vëllimor 3.5 inçësh të ndjeshëm në prekje me rezolucion 360 x 640 piksela, mbështetje për HSDPA, WiFi e Bluetooth e me gjasë edhe GPS.

Ky telefon do të ketë procesor ARM, mirëpo nuk dihet për cilin model dhe me çfarë takti pune, ani pse flitet për atë prej 1 GHz.

Kamera digjitale, veç rezolucionit të madh, do të duhej të incizojë video materiale me rezolucion 720p të cilat me anë të daljes HDMI dhe kabllove do të mund të paraqitej edhe ekranet televizive.

Së shpejti priten edhe të dhënat zyrtare nga Nokia, derisa N8 do të mund të paraqitej vetëm në tremujorin e fundit të këtij viti.

Nokia blen kompaninë Novarra

Nokia ka njoftuar se do të blej kompaninë amerikane Novarra e cila është e specializuar për prodhimin e shfletuesve dhe shërbimeve përkatëse mobile të internetit.

Me këtë hap Nokia planifikon që të përmirësojë mënyrën e shfletimit të internetit në celularët e saj, e zgjidhjet e kompanisë të blera nga kompania Novarra planifikon t’i integrojë në pajisjet e saj gjatë pjesës së dytë të këtij viti. Pritet që blerja zyrtare do të kryhet gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Në të ardhmen, ndërlidhja e një miliard njerëzve në internet do të bëhet me anë të pajisjeve mobile. Në pajtim me këtë, ofrimi i mënyrave më të “lehtësuara” për përdoruesit është një prej prioriteteve në Nokia, kanë deklaruar përfaqësuesit e kompanisë.

Ovi Maps shenon mbi një milion shkarkime brenda javës.

Tabori i gjigantit finlandez Nokia ka raportuar se prej paraqitjes së navigacionit pa pagesë për pajisjet e kësaj kompanie Ovi Maps është shkarkuar 1.4 milionë herë, gjersa kufiri prej një milion është thyer brenda vetëm një jave.

Suksesi i versionit pa pagesë të navigacionit Ovi Maps është pjesë e strategjisë së Nokia për etablim në tregun mobil, navigacionit dhe shërbimeve lokale, e si po qëndrojnë hesapet, mirë po ju ecën.

Sa u përket shteteve të veçanta, Nokia thekson se deri më 31 janar aplikacionin e kanë shkarkuar më së shumti përdorues nga Kina, Italia, Britania e Madhe, Gjermania dhe Spanja, derisa më së shumti është shkarkuar në pajisjet Nokia 5800 XpressMusic, Nokia N97 mini, Nokia N97, Nokia 5230 dhe Nokia E72.

Ovi Maps mund të gjendet në mbi 180 shtete, përderisa me navigacion rrugor janë mbuluar 74 shtete dhe atë në 46 gjuhë të ndryshme.

Nokia X6 vjen me 16 gigabajt memorie

28 Janar, 2010 1 koment

Nokia ka paraqitur telefonin celular X6 me 16 gigabajt memorie si alternativë më të përballueshme të modelit me 32 gigabajt.

Nokia X6 është paralajmëruar qysh në muajin shtator të vitit të kaluar. Prodhuesi e ka paramenduar këtë telefon si pajisje multimediale për përdoruesit të cilët nuk duan të heqin dorë nga koleksioni i tyre video e audio derisa janë në lëvizje. Atëbotë ishte paralajmëruar pajisja me 32 gigabajt edhe ekran të diagonales 3.2 inç i ndjeshëm në prekje.

Pak para se të lëshonte modelin X6 në tregun evropian Nokia ka vendosur të ofrojë edhe modelin me 16 gigabajt memorie i cili do të duhej të jetë më i përballueshëm nga çmimi sesa ai që ishte paralajmëruar fillimisht.

Specifikat tjera të telefonit janë identike: Fotoaparat prej 5 megapiksela me thjerrëz dhe blic të Carl-Zeiss, A-GPS, busollë e integruar dhe Nokia Maps, konektor microUSB, WLAN, Bluetooth 2.0 dhe bartje të dhënave me anë të protokollit HSDPA.

Nuk mund të vërejmë se Nokia i ka pajisur celularët e vet X6 në të njëjtën mënyrë si edhe Apple që ka bërë me pajisjet e veta iPhone 3GS. X6 e as iPhone nuk e kanë mundësinë e zgjerimit të memories me kartela që nuk na çudit ky fakt për Apple, por është bukur e pazakontë për Nokian.

Nokia prej 160.000 Dollarësh

Për ata të cilët celularët e rëndomtë nuk janë aq të shtrenjtë, këtu është kompania Stuart Hughes, e cila mirret për përpunimin luksoz të brendeve të njohura. Kësaj radhe kompania ka paraqitur Nokia Supreme, të stolisur me diamante dhe platini.

Nëse i keni dhe doni t’i shpenzoni në këtë pajisje të vogël, 160 mijë dollarë do t’u sjellin modelin Nokia 8800 me 83 gramë platin, përplot diamante rozë dhe kuti graniti për ruajtje të dhënave.

Natyrisht, nga pikëpamja teknike kjo pajisje ka mbetur e pandryshuar prej modelit standard Nokia 8800, prandaj ju vendosni a do të përdorni version standard apo do të paguani një celular si ai por që kushton vetëm 159.600 dollarë më shumë.

Një telefon mobil që punon me Coca-Cola

10 Janar, 2010 2 komente

Nokia ka zbuluar një prototip të telefonit të saj, të dizajnuar nga Daizi Zheng. Ky celular do të punojë në bazë të energjisë që do të prodhohet nga bio-bateritë, ndërsa si “lëndë ndezëse” do të shfrytëzohet Coca-Cola.

Celulat do të punojnë me sheqer, që nuk është risi në botën e teknologjisë, mirëpo dizajneri Zheng ka dashur të tregojë se ka vend edhe për inovacione të tjera.

Natyrisht, nuk është për t’u kundërshtuar fakti se me vete do ta kemi një bateri ekologjike – që ka jetëgjatësinë shumë të më madhe se bateritë standarde.

Nokia 6700 Classic vjen i Arte

13 Dhjetor, 2009 Lini një koment

Në Nokia duket se nuk “zhegiten” fare për recesion, është paraqitur versioni i artë i modelit të popullarizuar 6700 Classic.

Edhe pse në Nokia gjatë kohëve të fundit po luftojnë me shitjen e dobët, e me këtë edhe me financa të zvogëluara, këto “imtësi” nuk po i ndalojnë nga përpunimi i celularëve luksoz. Bëhet fjalë për lëshimin e modelit të artë 6700 Classic.

Shtëpiza, ndryshe nga çeliku i pandryshkshëm, është mbështjellë me ari prej 18-karatësh. Kënaqësi shtesë të luksozitetit ofron edhe çanta për bartje e cila shitet me celularin. Gjithashtu, në paketë merret edhe kartela e memories microSDHC me kapacitet prej 8 GB.

Detajet teknike të pajisjes janë identike me ato në versionin e thjeshtë të celularit. Në të gjendet ekrani 2.2 incësh me rezolucion prej 320×240 piksela dhe fotoaparati me rezolucion prej pesë megapikselash.

Nokia 6700 Classic në versionin e artë do të paraqitet në tregje të zgjedhura gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm. Çmimi i paralajmëruar për Evropë është 370 euro.

Vjen Nokia Ovi Store 2.0

13 Dhjetor, 2009 Lini një koment

Nokia ka paralajmëruar ripërtëritjen e shërbimit të vet për shpërndarjen e aplikacioneve dhe përmbajtjeve tjera për telefona celularë .

Edhe pse Ovi Store numëron një milionë shkarkime në ditë, në Nokia pranojnë se ridizajnimi megjithatë është i duhur. Për më shumë, zëvendëspresidenti i kompanisë George Linardos ka deklaruar se Ovi Store do të bëhet “nga zeroja”.

Versioni i ri i shërbimit të Nokias për shpërndarjen e aplikacioneve dhe përmbajtjeve tjera për celularë sërish do të lëshohet në qarkullim në pranverën e vitit të ardhshëm. Përmirësimet kryesore të cilat versioni i ri do t’i përmbajë kanë të bëjnë me shpejtësinë, konfigurimin dhe besueshmërinë.

Sipas Linardos, versioni aktual i Ovi Store edhe ashtu ishte menduar si i përkohshëm, në kohën e shkurtër kur Nokia është dashur të konsolidojë të gjitha shërbimet të cilat i ka ofruar.

Nokia 2710 Navigation Edition

Pajisja më e re e segmentit të ulët të Nokias do të shitet me çmim të përshtatshëm, e do të ofroj navigacion GPS.

Nokia 2710 Navigation Edition është pjesëtari më i ri i segmentit të ulët të celularëve të Nokias. Modeli, paksa çuditshëm për këtë rang të çmimeve, sjell navigacion GPS dhe busulle digjitale.

Gjithashtu, ky celular shitet me softuerin Nokia Maps me udhëzimet “turn-by-turn”, bartës dhe mbushës për automjet.

Dimensionet e pajisjes janë 111 x 45.7 x 13.7 milimetra, e peshon 87 gramë. Është integruar edhe ekrani 2.2-inçësh me rezolucion prej 240 x 320 pikselash, kamera 2-megapikselëshe, FM radio e Bluetooth, përderisa në paketën e tij është përfshirë edhe kartela e memories me kapacitet prej 2 GB. Kohëzgjatja e baterisë është deklaruar në 18 orë në pritje, respektivisht në katër orë e 20 minuta bisedë.

Çmimi i rekomanduar i shitjes për tregun evropian është 110 euro, e në shitje do të gjendet në tremujorin e dytë të vitit të ardhshëm.

Nokia do te sjelle celulare me Linux në 2010

Tabori zyrtar i Nokias nuk ka dashur të flet shumë për planet e vitit të ardhshëm, mirëpo siç raporton agjencia e lajmeve Reuters, gjatë vitit 2010 kompania finlandeze do të na ofrojë vetëm një pajisje të bazuar në Linux.

Prodhuesi kryesor në tregun e celularëve, kompania finlandeze Nokia, në fillim të këtij muaji ka nisur me shitjen e celularit të parë në të cilin gjendet platforma e bazuar në Linux – modelin N900. Hap logjik do të ishte paraqitja edhe ndonjë pajisje kur merret parasysh popullariteti në rritje i Linux në fushën e platformave mobile, mirëpo për fat të keq nuk do të jetë ashtu.

Siç raporton Reuters, Nokia gjatë tërë vitit të ardhshëm do të ofrojë vetëm edhe një celular të bazuar në Linux.

Nokia me variantin e vet të Linuxit të emëruar Maemo, të paraqitur në modelin N900, planifikon të konkurrojë ndaj kompanisë Apple dhe celularit të saj të popullarizuar iPhone, mirëpo vështirë që do t’ia dal në krye vetëm me këtë model.

Megjithatë, përkundër të gjithave Nokia edhe më tutje mbetet numri një në listën e prodhuesve të celularëve në mbarë botën.

Nokia paraqet 6700 Slide dhe 7230.

25 Nëntor, 2009 Lini një koment

Nokia ka paraqitur dy celularë të rinj në segmentin e saj të mesëm. Bëhet fjalë për modelet e telefonave rrëshqitës 6700 Slide e 7230.

Modeli më i lirë, ai 7230, vjen me dimensione 98 x 48 x 14.7 milimetra dhe ka mbështetje për 3G. Ekrani është 2.4-inçësh me rezolucion prej 240 x 320 piksela, fotoaparati është me rezolucion 3.2 megapiksela, në të është integruar FM radio dhe qasja për kartelat e memories microSD. Ndryshe, celulari shitet me kartelë të kapacitetit prej 2 GB.

Në tregjet e Evropës celulari vjen në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm me çmim të rekomanduar të shitjes prej 100 euro.

Modeli 6700 Slide ka dimensione 95 x 46 x 16 milimetra, e peshon 110 gramë. Mban ekran 2.2-inçësh me rezolucion prej 320 x 240 piksela. Fotoaparati i tij ka rezolucion prej pesë megapiksela, derisa është integruar edhe blici i dyfishtë LED. Së bashku me 45 MB të memories interne në të gjendet edhe qasja për kartela të memories microSD dhe FM radio.

Në treg vjen në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm me çmim prej 160 euro

Nokia paraqet celular televiziv

16 Nëntor, 2009 Lini një koment

Sipas parashikimeve në taborin e gjigantit finlandez të telekomunikacionit deri në vitin 2012 në mbarë botën mbi 300 milionë shfrytëzues do të shohin programe televizive në ekranet e pajisjeve të tyre. Mu për këtë arsye Nokia ka paraqitur celularin Nokia 5330 Mobile TV Edition.

Përveç pranuesit televiziv, Nokia në celularin 5330 Mobile TV Edition ka integruar edhe një varg mundësish multimediale, mbështetje për lojëra dhe rrjete të shumta shoqërore online.

Kjo pajisje përmban ekran me diagonale prej 2.4 inçësh në të cilin mund të pranohet programi televiziv me anë të pranuesit digjital DVB-H, e në të është instaluar edhe qasja 2.5 milimetërshe e cila do të mundësoj që me dëgjuese përkatëse përdoruesit të kënaqen në multimedia.

Bateria e integruar supozohet se do të duhej të mundësonte deri në gjashtë orë pranim të programit televiziv.

Sa u përket shërbimeve online, pajisja mbështet Ovi Contacts, Facebook, MySpace, Flickr e YouTube si dhe aplikacione për porosi të çastit Windows Live(TM) Messenger, Google Talk, Yahoo! Messenger, ICQ, AOL e të tjera. Fotoaparati prej 3.2 megapikselash do të mundësoj publikimin e fotografive në shërbimet online.

Dimensionet e pajisjes janë 101.2 x 48.5 x 14.25 milimetra, gjersa peshon 114 gramë.

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.