Arkiv

Arkiv për Kategorinë ‘Te Rejat e Fundit’

iPhone 4 “pushton” 17 shtete të reja

Duke filluar nga 30 korriku, konsumatorët në shumë vende të botës do të kenë mundësinë të blejnë telefonin i cili ka bërë bujë në mbarë botë, modelin më të ri të telefonit të Apple, iPhone 4.

Telefoni i shumë përfolur këtyre ditëve do të jetë në dispozicion edhe në shtetet tjera si, Australia, Austria, Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Hong Kongu, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Zelanda e Re, Singapori, Spanja, Suedia dhe Zvicra.

iPhone 4 fillimisht vetëm me ngjyrë të zezë, do të shitet në dyqanet e Apple, online përmes Apple.com dhe stërshitësve të autorizuar.

Njëri prej vendeve që ende nuk është në listë, është Koreja e Jugut. Edhe pse fillimisht thuhet se edhe ky vend do të jetë në mesin e vendeve të mëdha, të cilat kanë kërkesë të madhe për iPhone 4, kjo nuk do të ndodh për shkak të disa çështjeve të rregullatorit të atjeshëm.

Në konferencën për media të cilën Steve Jobs e ka mbajtur më 16 korrik, pati thënë se do të jetë pak më e vështirë për t’i bindur autoritetet koreane, për lansimin e telefonit tonë. Në këtë konferencë, Jobs kryesisht pati folur për problemet që iPhone ka hasur me pranimin e thirrjeve telefonike. / Telegrafi

Samsung ofron telefona falas, për të gjithë të pakënaqurit me iPhone 4!

27 Korrik, 2010 1 koment

Duket se gjiganti i teknologjisë Samsung, është duke dhënë falas telefona të linjës Galaxy S për të gjithë poseduesit e pakënaqur të iPhone 4, të cilët janë të frustruar nga problemet e thirrjeve që ata i kanë me këtë të fundit.

Një llogari në Twitter e quajtur @samsungukmobile është duke i kontaktuar njerëzit që i kanë paraqitur  vështirësitë e tyre me iPhone 4 në këtë rrjet social, duke u kërkuar atyre të paraqesin të dhënat e tyre të kontaktit për të marrë një telefon falas nga kompania Samsung.

Një nga personat e frustruar me iPhone 4 ishte edhe Tiffany Nieuwland, e cili tha për revistën Wired: “iPhone 4 dhe unë kemi qenë të pandashëm për gati një muaj. Por muaji i mjaltit mes nesh përfundoi këtë javë, pas disa thirrjeve të parealizuara , dhe pamundësia e papritur e pa sqaruar për të bërë ose për të marrë telefonata, më ka lënë të pakënaqur” tha ajo.

“Më pas unë bëra atë që gjithkush po e bën këtyre ditëve. Postova ankesën time në Twitter. Më pas ndodhi befasia, kur në një mëngjes unë jam kontaktuar nga profili i kompanisë Samsung, i cili më ofronte modelin e fundit të Galaxy S” tha përdoruesja e dikurshme e iPhone 4, e cila pasi e kontaktoi kompaninë Samsung e kuptoi që oferta ishte legjitime, dhe se Samsung me të vërtetë e ofron këtë mundësi.

Kjo është një qasje interesante dhe e pazakontë për promovimin e pajisjes, e cila mbështetet nga Android 2,1 dhe përmban një ekran të madh AMOLED me 4,0-inç.

Ekran i lakueshëm AMOLED nga Samsung

Gjatë dy viteve të ardhshme Samsung ka për qëllim të filloj me prodhimin e versioneve më të qëndrueshme te ekraneve plastike AMOLED për celularë.

Ekranet e reja do të kanë mundësi të mbështjelljes dhe rezistencë më të theksuar nga goditjeve dhe dëmtimeve fizike, duke ruajtur të gjitha përparësitë e kësaj teknologjie.

Supozohet se Samsung planifikon ta arrijë këtë gjë me instalimin e TFT-së drejtpërdrejt në filmin plastik dhe me zëvendësimin e mbrojtjes së deritanishme nga vinili me një version tjetër me poliamide.

Kompania parasheh një kërkesë më të madhe të ekraneve më të holla dhe të lehta AMOLED, e këto versione më të qëndrueshme do të fillojnë prodhimin masiv nga viti 2012. /Telegrafi/

Nuk ka iPhone 4 me ngjyrë të bardhë, para fundit të 2010

Modelet e iPhone 4 me ngjyrë të bardhë do të dalin në treg, vetëm në fund të këtij viti, thuhet në një deklaratë të kompanisë Apple.

“Modeli i bardhë i iPhone 4 do të jetë më i vështirë për prodhim, se sa pritej fillimisht,” thuhet nga burimet zyrtare të kompanisë.

“Disponueshmëria e modelit të zi të iPhone 4, i cili është më popullor, nuk është afektuar.” Është thënë se modeli i bardhë i telefonit të Apple, do të jetë në treg në qershor të këtij viti, por tani burimet zyrtare të kompanisë thonë se kjo nuk do të ndodh para fundit të vitit 2010.

Modeli më ngjyrë të bardhë i iPhone 4 ka pasur një histori të trazuar të prodhimit. Gjatë këtyre ditëve ishte mësuar se modelet e bardha nuk do të jenë gati për treg më qershor ose korrik, siç thuhej fillimisht nga mediat online, në tërë botën.

Apple fillimisht e pati shtyrë lansimin e këtij modeli të telefonit për në gjysmën e dytë të korrikut. Vonesat e shumta mendohet se i atribuohen kontraktonit, Lens Teknologies, për të cilin dyshohet se ka probleme rreth trashësisë së plastikës dhe ngjyrës së bardhë. / Telegrafi

HP nuk do ta përdor Windows Phone 7 për telefonat e saj

26 Korrik, 2010 1 koment

HP mund të aspirojë të jetë “konsumatori më i madh i Microsoft-it,” thuhet sipas zëvendës presidentit të HP’së, Todd Bradley, por kompania ka distancuar veten zyrtarisht nga sistemi operativ për telefona mobil, të cilin Micosoft e ka emëruar Microsoft Windows Phone 7.

Ky veprim, nga publiku i gjerë mund të shihet  si i papritur, duke marrë parasysh se finalizimi i marrëveshjes për përvetësimin e kompanisë Palm, nga ana e HP, është bërë në fund të muajit të kaluar.

Mbi të gjitha, Palm është truri prapa sistemit operativ për telefona mobil, të cilin HP tani synon të përdorë si bazë për të gjithë telefonat e saj të zgjuar, në të ardhmen.

“Qëllimi ynë është që t’i përqendrojmë të gjitha burimet për ta bërë webOS sa më të mirë që ai mund të jetë,” tha Bradley në një intervistë me faqen  e njohur, Electronista. / Telegrafi

Të gjithë telefonat Galaxy S me Android 2.2

Samsung është duke u përgatitur të sjell versionin e ri Android 2.2 në të gjithë spektrin e telefonave Galaxy S të cilët së shpejti do të jenë në dispozicion nëpër shumë operator mobil, thuhet në postimin e fundit të kompanisë në Twitter.

Secila prej këtyre pajisjeve ende do të shitet me versionin aktual 2.1 të sistemit operativ Android, mirëpo në pritje të azhurnimit me versionin e ri 2.2 dhe Adobe Flash 10.1 i cili do të vjen në ndërkohë.

Në spektrin e telefonave Galaxy S pritet të vijë modeli Vibrant i cili është i dedikuar për T-Mobile, Fascinate në Verizon dhe Captivate në AT&T. Modeli tjetër, Epic i cili posedon tastierë të plotë QWERTY me rrëshqitës dhe dy kamera, gjithashtu pritet të ketë versionin e ri Android 2.2, pas lansimit zyrtar me kompaninë Sprint.

BlackBerry sjell edhe dy modele të reja në treg.

29 Qershor, 2010 Lini një koment

Kompania Research In Motion, e njohur me shkurtesën RIM, sot ka thyer edhe një rekord të ri. Ajo thotë se ka transportuar me sukses më shumë se 11.2 milionë telefona BlackBerry, në tremujorin e parë të vitit.

Parashikimet e kompanisë janë tejkaluar për 43 për qind, krahasuar me një vjet më parë, ndërsa është thënë gjithashtu se RIM ka shitur 100 milionë telefona BlackBerry deri më tani.

Shitjet e saj, kompania Research In Motion ua ka atribuuar shteteve jashtë Amerikës Veriore, pasi që rreth 40 për qind të këtyre telefonave gjenden jashtë kësaj zone. Përveç kësaj, besohet se linja e modelit Curve 8500 ka kontribuar mjaft shumë që të arrihen këto rezultate.

Gjatë një deklarate për shtyp, përfaqësuesit e RIM kanë lënë të kuptohet se ajo së shpejti do të sjell në treg edhe dy modele të reja të BlackBerry’t, të cilat së shpejti do të mund t’i shohim publikisht. Jo-zyrtarisht është marrë vesh se njëri prej tyre do të jetë BlackBerry 9800, modelin e parë rrëshqitës me ekran të ndjeshëm në prekje.

BlackBerry OS 6 do të dal në treg gjatë muajit Shtator, dhe tashmë është bërë e ditur se ky sistem i ri operativ do të vjen bashkë me modelin e telefonit, 9800. /Telegrafi/

Motorola Droid X

29 Qershor, 2010 Lini një koment

Telefoni i ri i mençur i Motorolas synon të arrijë majën e këtij segmenti, e në SHBA del në shitje gjatë mesit të muajit të ardhshëm.

Motorola ka paraqitur zyrtarisht Droid X, telefonin e mençur i cili sipas karakteristikave do të duhej të konkurronte me pajisjet si HTC EVO 4G e Apple iPhone 4.

Pajisja është e bazuar në procesorin OMAP3630 të Texas Instruments me takt punues prej 1 GHz dhe ka kartelë grafike PowerVR SGX530. Kapaciteti i memories punuese është 512 MB, gjersa janë integruar 8 GB memorie flash për ruajtje të dhënave me mundësi të zgjerimit të kapacitetit me anë të kartelave të memories microSD deri në 40 GB.

Vëmendjen tërheq ekrani 4.3-inçësh WVGA me rezolucion (854 x 480 piksela) si dhe kamerë prej 8 megapikselash me auto-fokus dhe blic LED. Pajisjet tjera përfshijnë GPS, mbështetje për incizim të videos me 720p, shfletues mobil me mbështetje për HTML5 e Flash 10.1 si dhe Bluetooth 2.1 + EDR.

Motorola Droid X shitet me sistemin operativ Android 2.1, e shitja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillon muajin e ardhshëm a me çmim prej 200 dollarësh me nënshkrim të kontratës dyvjeçare me operatorin e telefonisë mobile Verizon. /Telegrafi/

Rritet shitja e pajisjeve me Android

29 Qershor, 2010 Lini një koment

Kryeshefi ekzekutiv i Google Eric Schmidt raporton për shitjen çdo ditë më të madhe të pajisjeve me Android dhe prognozon një të ardhme të ndritur të kësaj platforme.

Pajisjet e bazuara në Android po bëhen çdo ditë e më të popullarizuara në botën e telefonave të mençur, gjë që e dëshmojnë edhe rezultat e shitjes së tyre. Kryeshefi ekzekutiv i Google Eric Schmidt qysh në muajin maj kishte vlerësuar shitje të pajisjeve Android në së paku 65.000 njësi në ditë, e për qershor ai publikon shifra shumë më të mëdha.

Sipas të dhënave të tij, çdo ditë në botë shiten mbi 160.000 telefona të mençur të bazuar në ndonjë version të sistemit operativ Android, derisa mbështetja e numrit të madh të prodhuesve si HTC, LG, e Motorola flet për një të ardhme të ndritur të vet platformës.

Tregu i telefonave të mençur edhe më tutje është në rritjes – kompania ABI Research raporton për 55 milionë pajisje të shitura gjatë këtij tremujori si dhe parasheh rritje të shitjeve për 21 për qind gjatë këtij viti në 244 milionë pajisje të shitura. /Telegrafi/

OperaMini më i përdorur gjatë pasditeve

29 Qershor, 2010 Lini një koment

Opera ka lëshuar raportin e saj të fundit të emërtuar “Gjendja e Webit në Mobil”, ndërsa edhe një herë thotë se ka regjistruar rritje të konsiderueshme, me përdoruesit e shfletuesit të saj Opera Mini, një rritje prej 4,2% krahasuar me prillin e këtij viti. Që nga ajo periudhë, shikimet e faqes kanë shkuar deri në 7,7 për qind më lartë, thotë Opera.

Për këtë raport, Opera ka analizuar periudhën 24-orëshe për të parë se si Opera Mini është përdorur gjatë gjithë ditës në të 10 vendet më të frekuentuara sipas vizitave (Indonezia, Rusia, India, Kina, Nigeria, Ukraina, Afrika e Jugut, Shtetet e Bashkuara, Vietnami dhe Mbretëria e Bashkuar).

Rezulton se për të gjitha vendet, pa marrë parasysh dallimet në ekonomi, kulturë apo vendndodhje, katër orët në mes 20:00 dhe mesnatës, me  sa duket është koha kryesore për një sasi disproporcionale të konsumit të të dhënave në telefonat mobil.

Opera gjithashtu ka gjetur se gjatë periudhës 24-orëshe, niveli më i lartë i përdorimit të shfletuesit Opera Mini është gjatë natës, nga 20:00 deri në mesnatë me pak dallim në të dhënat e konsumit në mes të javës dhe fundjavave, për të gjitha 10 vendet e përshkruara më lartë.

Sprint i ka shitur të gjithë telefonat HTC EVO 4G

14 Qershor, 2010 Lini një koment

Nëse ende jeni duke menduar se a do të blini telefonin më të ri nga HTC, modelin i cili po shkëlqen këtyre ditëve, HTC EVO 4G, atëherë mund të konsideroheni si një njeri i pafat.

Sipas të dhënave nga Boy Genius, telefoni i mençur HTC EVO 4G i cili bazohet në sistemin operativ Android, është shitur tërësisht deri në njësinë e fundit.

Gjatë këtyre ditëve është raportuar se ky telefon i mençur i prodhuar nga HTC, i ka rritur shitjet e operatorit mobil Sprint Nextel, i cili e mbanë të drejtën ekskluzive për shitjen e këtij modeli ekstravagant. Tani, HTC EVO 4G është i pamundur për t’u blerë, pasi që kërkesa për të poseduar një të tillë, ka qenë marramendëse.

Të gjithë ata që kanë planifikuar të blejnë një telefon të mençur dhe me funksione të avancuara, duket se do të duhet të presin rivalin e EVO 4G, modelin më të ri të telefonit nga kompania Apple, iPhone 4. /Telegrafi/

LG paralajmëron 20 celularë me Android

14 Qershor, 2010 Lini një koment

Valës së celularëve me Android do t’i kontribuojë edhe më tepër kompania LG e cila deri në fund të vitit planifikon të paraqesë 20 celularë me këtë sistem operativ.

LG ka paralajmëruar 20 celularë të ri me Android deri në fund të këtij viti. Kompania shpreson se me këtë hap do të përmirësojë rezultatet e afarizmit nga shitja e telefonave të mençur (smartphones).

Analistët vlerësojnë se LG nuk guxon të humbas rastin e vet në tregun e telefonave të mençur, posaçërisht për faktin se shitja e celularëve i gjeneron asaj 45% të të hyrave vjetore (në njësinë LG Electronics).

Megjithatë, brengosëse për prodhuesin korean mund të tingëllojë e dhëna se fitimi operativ nga shitja e celularëve gjatë tre muajve të parë të këtij viti ka rënë në gjithsej 0.9%, krahasuar me 6.7% sa ishte vitin e kaluar. /Telegrafi/

Motorola lanson Droid 2

14 Qershor, 2010 Lini një koment

Disa pamje të publikuara në internet, shfaqin versionin e ri të Motorola Droid 2 i cili mund të del edhe zyrtarisht në treg, gjatë kësaj jave.

Versioni i ri i Droid të prodhuar nga Motorola pritet se do të sjell përmirësime në tastierë,  kapacitet më të mirë dhe më funksional gjatë punës, si dhe ekran me diametër prej 3.7 inç.

Në modelin e ri të telefonit, Motorola nuk do të ketë rrotën lëvizëse në tastierë, thuhet në blogun e Droid Life. Pajisja rrotulluese ishte kritikuar nga përdoruesit, pasi thuhej se nuk përgjigjej shpejtë gjatë përdorimit.

Thuhet se modeli Droid 2 do të ketë të integruar versionin më të ri të sistemit operativ të Google, Android 2.1, dhe me mundësi të azhurnimit të shpejtë në versionin 2.2, i cili pritet të zyrtarizohet së shpejti nga Android.

Droid 2 do të ketë procesor prej 750-MHz OMAP, mirëpo edhe ky  kapacitet i procesorit mbetet më i vogël, nëse e krahasojmë me senzacionet e fundit, HTC EVO 4G dhe iPhone 4.

Nexus One në rezolucion 720p

10 Qershor, 2010 Lini një koment

Ekipi i forumit xda-developers ka bërë një shtojcë për HTC Nexus One i cili mundëson incizimin e video materialeve në rezolucion 720p, e në përpunim është edhe versioni Froyo për Android i cili pritet të vjen.

Pronarët e Nexus One, nëse nuk kanë gjëra më të mençura për të bërë, mund të shkojnë deri tek forumi xda-developers ku ka dalë shtojca e re e cila mundëson incizimin e video materialeve në celular me rezolucion prej 720p, që për një celular është bukur rezolucion i mirë. Për të funksionuar kjo shtojcë, nevojitet që në celular të instalohet CyanogenMod v5.08test3.

Aktualisht janë në vazhdim punimet për t’u përmirësuar zëri dhe fps, derisa në përpunim e sipër është edhe sistemi Android Froyo i cili ende pritet të vijë në Nexus One.

Ata që dëshirojnë të dinë më shumë për detajet mund të vizitojnë forumin xda-developers.

Kësaj radhe, HTC EVO 4G do ta mposht iPhone 4

10 Qershor, 2010 Lini një koment

Njëri prejfinanciarëve kryesor në kompaninë Sprint Nextel, beson sinqerisht se modeli i ri i telefonit HTC EVO 4G do t’i bëjë përdoruesit e saj të rrinë me këtë operator, duke mos u joshur nga oferta e rivalit AT&T i cili do ta sjell iPhone 4, gjatë kësaj vere.

Robert Brust, Drejtori Financiar në Sprint, ka paralajmëruar se të gjithë operatorët tjerë, duke përjashtuar AT&T, ndihen të “kërcënuar” nga modeli i ri i telefonit të prodhuar nga Apple, iPhone 4.

Në tri vitet e kaluara, Apple dhe AT&T kanë lansuar modelet e tyre iPhone, kryesisht gjatë muajve qershor ose korrik. Si pasojë e kësaj, konsumatorët i braktisin operatorët tjerë mobil në vend, për tu bashkuar me AT&T, pikërisht për iPhone.

“Çdo vit, të gjithë operatorët mobil në SHBA, përveç AT&T, kalojnë nëpër një traumë të vogël, e cila quhet “iPhone i ri” ka thënë ai. “Këtu ndodh një braktisje e përkohshme, të cilën ne e quajmë – njerëzit shkojnë pas iPhone. Pasi atyre të ju përfundojnë kontratat, njerëzit menjëherë vrapojnë pas iPhone” ka sqaruar më tej Brust.

Mirëpo këtë vit, Brust beson se do të jetë ndryshe pasi që kompania e tij është e para që ka sjell në tregun botëror telefonin me lidhjen e internetit, 4G, përmes versionit më të ri të telefonit nga HTC, modeli EVO 4G, i cili bazohet në sistemin operativ Android.

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.